Pa turistë, nuk ka turizëm e një turizëm i zhvilluar do të thotë një angazhim që ngërthen punën e përditshme të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse për këtë sektor, pasi vetëm duke i angazhuar të gjithë, tërheqim shumë turistë dhe ju paraqesim atyre vende të bukura, të cilat janë të shumta në Kosovë.
Për të vënë në pah rëndësinë që luan turizmi në zhvillimin e një vendi, data e sotme, 27 shtatori, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Turizmit”. ‘Kosova ka bukuri të shumta që do të tërhiqnin numër të madh të turistëve’, kështu tha për Radio KFOR-in, Udhëheqësi i organizatës jo-qeveritare ‘Qendra e Ekologëve të Kosovës’, z. Yll Ahmeti, teksa kërkon angazhim më të madh për promovim dhe mirëmbajtje të ambientit: “Turizmi është dhe duhet të jetë shumë i rëndësishëm për ne. Kosova ka bukuri të shumta të cilat mund t’i paraqiten botës, si vende që duhet të vizitohen, mirëpo fatkeqësisht kemi shumë raste kur këto vende turistike, ne nuk i mirëmbajmë. Këtu ka faj faktori njeri, moskujdesi për ambient të pastër. Edhe institucionet gjegjëse konsiderojmë që duhet të ndërmarrin më shumë fushata vetëdijesuese, të cilat duhet që të nxjerrin në pah rëndësinë e turizmit, mirëpo të lidhur me një ambient të pastër dhe të bukur. Ne, si Qendër e Ekologëve të Kosovës, organizojmë aktivitete të ndryshme të cilat kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e një ambienti të pastër dhe pastrimin e ambientit. Shpesh ka ndodhë që kemi shkuar në pika turistike të Kosovës, shembull në Bjeshkët e Nemuna, atje ku fatkeqësisht kemi hasur në një ditë, ku pushuesit kanë bërë kamping dhe kemi parë një gjendje aspak të mirë, meqë ka pasur shumë mbeturina të cilat është dashur ti mbledhim ne. Ne nuk jemi kundër organizimeve të tilla, mirëpo ne duhet të vetëdijesohemi, që kur shkojmë të shijojmë këto bukuri natyrore, ne duhet ti lëmë në gjendjen e pastër siç edhe i kemi gjetur.”
Ndotja e tokës ndikon në përmasa serioze ekosistemin dhe rrezikon edhe jetën e njeriut, por edhe të gjallesave të tjera. Për një të ardhme më të shëndetshme dhe një botë të jetueshme, është në përgjegjësinë e gjithsecilit që ta mbajë të pastër tokën.