Bazuar në vendimet mbi parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Kosovë, Policia e Kosovës në vazhdimësi që nga paraqitja e rasteve të para të infektimeve, ka mbajtur rendin duke gjobitur të gjithë personat apo bizneset që nuk kanë respektuar ligjin anti-covid.
Rreth punës së tyre gjatë kësaj kohe pandemie dhe numrit të gjobave që janë shqiptuar nga Policia e Kosovës, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me zyrën për informim nga Policia e Kosovës të cilët theksuan: “Policia e Kosovës sipas planifikimeve ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në gjithë Kosovën, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa. Aktivitetet dhe patrullimet policore janë shtuar në nivel vendi, nga data 30 gusht 2021 deri më 22 shtator 2021, janë shqiptuar rreth 50.000 mijë fletëparaqitje për kundërvajtje si dhe janë dhënë mbi 19 mijë vërejtje për shkelësit e Ligjit Anti-Covid-19. Ndërsa, për mos zbatim të Ligjit në fjalë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 631 tiketa.”
Policia e Kosovës, njoftoi gjithashtu se përpos angazhimeve operacionale në terren, është angazhuar edhe në parandalim me fushata dhe publikime vetëdijesuese. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e marra nga Qeveria e vendit, t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti-covid.