“Vepro sot, që të ruash shëndetin e gojës përgjatë gjithë jetës”, kjo është motoja e sivjetme në shënim të ‘Ditës Botërore të shëndetit oral’, e cila shënohet çdo vit më 20 mars.
Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin si dhe të tregoj rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien tonë. Higjiena e mirë e gojës është shumë e rëndësishme sepse favorizon një shëndet të mirë. Këtë e konkludon edhe specialistja e ortodoncisë, Dr. Fatime Hasani Sadikaj, e cila për të gjithë ne ka edhe këto këshilla e rekomandime: “Dhëmbë të shëndetshëm do të thotë trup dhe menjde të shëndoshë.Të gjitha bakteret që gjenden në gojë mund të përhapen në të gjithë organizmin, prandaj vizitoni rregullisht stomatologun tuaj, hani shujta të pasura me minerale, vitamina e proteina dhe pastroni dhëmbët pas çdo shujte”, rekomandon Dr. Fatime.
Federata Dentare Botërore, fillimisht kishte vendosur që 12 shtatori i vitit 2012 të njihej si ‘Dita Botërore e Shëndetit të Oral’, kurse në vitin 2014, Federata Dentare Botërore vendosi ndryshimin e kësaj date, duke caktuar datën e sotme 20 mars, për të shënuar këtë ditë. Nëse kujdeseni për një shëndet sa më të mirë të gojës, do të ndikoni pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien tuaj të përgjithshme.