Dita e sotme 19 nëntori, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve’, një moment i rëndësishëm për të nderuar punën dhe sakrificat e tyre për të sjellë informacion të saktë dhe të besueshëm për publikun. Gazetaria është një nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë, pasi ajo luan një rol të pazëvendësueshëm në informimin, argëtimin dhe edukimin e qytetarëve.
Megjithatë, jeta dhe puna e gazetarëve shpesh rrezikohet, kur ata raportojnë në situata të ndryshme konfliktesh, luftërash apo raportimi i çështjeve të tjera siç janë kriminaliteti, kontrabanda, ryshfeti, keqpërdorimin e pozitave zyrtare e politike, etj. Kjo ditë mëton të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e lirisë së shtypit, mbrojtjen e të drejtës për informacion dhe sigurinë e gazetarëve që punojnë në kushte të vështira. Sipas raportit të Komitetit të Mbrojtjes së Gazetarëve, çdo vit, mijëra gazetarë në mbarë botën përballen me kërcënime, kontrolle, presion e madje edhe me vrasje, për shkak të raportimeve të tyre.
‘Dita Ndërkombëtare e Gazetarëve’ është një mundësi për të reflektuar mbi rolin e gazetarisë në ndihmën e ndërtimit të një bote më të informuar dhe më të drejtë. Gazetarët janë ndihmës të padiskutueshëm në ruajtjen e demokracisë dhe detyra e tyre është të raportojnë të vërtetën në çdo moment dhe çdo rrethanë.







