Qendra “Termokiss”, sot (7 nëntor) duke filluar nga ora 14:00 deri në orën 17:00 do të mbajë një punëtori për të mësuar më shumë rreth punëdores artizanale.
Kjo punëtori do të mbahet nga Gishe Lahu, ndërsa përveç teknikave të reja për punëdore artizanale që do të mësojnë të rinjtë, ata po ashtu do të kenë mundësi që të shoqërohen me njëri- tjetrin.
Radio KFOR-i ka kontaktuar moderatoren e punëtorisë artizanale në “Termokiss”, Gishe Lahu, e cila ka treguar qëllimin e organizimit të kësaj punëtorie.
“Përmes kësaj punëtorie synojmë të mbledhim të rinjtë, të shoqërohen dhe të mësojnë punën e dorës përmes teknikave të ndryshme me dru, qeramikë dhe materiale të recikluara. Qëllimi është angazhimi i të rinjve dhe të kontribuojmë përmes punës që bëjmë për ata që kanë më shumë nevojë në shoqërinë tonë. Përmes kësaj punëtorie, të rinjtë përveçse mësojnë një shkathtësi të re, do të kenë mundësi të sfidojnë vetën dhe të zhvillojnë empatinë”, tha Gisha për Radio KFOR-in.
Këto punime do të shiten gjatë Pazarit të Hapur në Termokiss dhe ato mjete do të dedikohen si donacion për nevojat e Strehimores së grave dhe fëmijëve në Prishtinë.