26 shtatori, është caktuar të jetë data në të cilën promovojmë diversitetin gjuhësor të Evropës, kontinent ky i pasur kulturor. “Dita Evropiane e Gjuhëve” vë theksin në rëndësinë e të folurit dhe të ruajtjes së gjuhëve të ndryshme, që fliten në mbarë Evropën e që është streha e një shumëllojshmërie të mahnitshme gjuhësh, prej gjuhëve të madha zyrtare e deri te dialektet më të vogla që fliten në qytete dhe fshatra. Për shkak të globalizimit sot, disa gjuhë të vogla dhe dialekte janë në rrezik të zhdukjes dhe “Dita Evropiane e Gjuhëve”, na shërben si rikujtim për vlerat që ka secila gjuhë dhe trashëgiminë që ato mbartin. Evropa është shtëpia e 24 gjuhëve zyrtare, ndërsa janë mbi 200 gjuhë autoktone, të cilat fliten në të gjithë kontinentin. Prandaj, në “Ditën Evropiane të Gjuhëve” vihet në pah diversiteti gjuhësor i Evropës, që është nxitës i bashkëpunimit dhe ruajtjes së kësaj trashëgimie.
Kujdesi dhe respektimi i gjuhëve të ndryshme, janë thelbësore për një Evropë më të pasur kulturore dhe për një botë shumëngjyrëshe, që na e sjell diversiteti gjuhësor.