Bashkimi Evropian dhe UNICEF-i kanë lansuar fushatën e radhës, e cila synon ndërgjegjësimin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe është titulluar “T’gjithë n’përfshirje”. Kjo fushatë, që do të zgjatë për 22 muaj, si qëllim ka të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për barrierat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara dhe bënë thirrje për realizimin e plotë të të drejtave të tyre.
Në Prishtinë, më saktësisht në sheshin “Skënderbeu” javën që lamë pas, është bërë zbulimi i një instalacioni në formë lëmshi, që simbolizon sfidat e shumta dhe të ndërlidhura, me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ky instalacion, që do të jetë i ekspozuar deri nesër (e mërkurë, 27 shtator), do të shërbejë për ndërgjegjësim të prindërve dhe fëmijëve për të kërkuar ndryshim dhe promovim të përfshirjes brenda komuniteteve të tyre.
Fushata do të zgjasë plotë 22 muaj dhe do të ketë organizime në katër komuna por edhe online, ku do të bëhet thirrje që të zbatohen të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe rritja e qasshmërisë në hapësira publike edhe për ata.