Data e sotme, 2 prill, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Autizmit”, që synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm, ku vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.
Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç. Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prej tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt.
Përmes shënimit të kësaj dite, kërkohet rritje e ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë, për të zhvilluar një kulturë e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim. Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje pyetjes se çka e shkakton autizmin dhe rezultatet e studimeve thonë që në pak raste, autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet e shfaqjes së autizmit.