Që nga viti 2021, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG), e shënon 23 janarin, si “Ditë të Ndërgjegjësimit për Shëndetin e Nënës”. Shënimi i kësaj ditë, ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit shëndetësor për gratë gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes që ka për synim të adresojë sfidat dhe problemet që lidhen me shëndetin amësor si dhe të promovojë përpjekje për reduktimin e vdekshmërisë së nënave. Çdo vit, qindra mijëra gra humbin jetën për shkak të komplikimeve që lidhen me shtatzëninë dhe lindjen, shumica prej të cilave mund të parandalohen me anë të kujdesit shëndetësorë dhe ndërhyrjes së duhur mjekësore. Në shumë vende, pabarazitë sociale, qasja e kufizuar në kujdes shëndetësor dhe mungesa e edukimit mbi planifikimin e shtatzënisë, janë ndër faktorët që kontribuojnë në rritjen e rreziqeve për nënat dhe foshnjat e tyre. Ndërgjegjësimi për kujdesin para, gjatë dhe pas lindjes, reduktimi i vdekshmërisë së nënave gjatë procesit të lindjes, pastaj mbështetja për shëndetin mendor të grave, janë disa nga çështjet që kërkojnë adresim dhe përmirësim përgjatë shënimit të “Ditës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin e Nënës”.
Kjo ditë le të na shërbejë si ndërgjegjësim, se shëndeti i grave shtatzëna dhe i nënave të reja është thelbësor, për ndërtimin e familjeve dhe komuniteteve të shëndetshme.