Në nëntor të vitit 2011, u miratua rezoluta në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO’s, e cila caktoi datën e sotme, 30 prillin, si “Ditë Ndërkombëtare të Muzikës Jazz”. Kremtimi i kësaj dite ka për qëllim që të rrisë vetëdijen shoqërore për vlerat e muzikës jazz, si një mjet edukativ dhe forcë për paqe, unitet, dialog dhe bashkëpunim mes njerëzve.
Muzika jazz është një zhanër muzikor që krijon dhe përcjell ndjenja si dhe emocione të veçanta tek individi. Sa i përket historikut të këtij lloj zhanri të muzikës, jazzi si stil muzikor u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika jazz ka marrë edhe elemente nga muzika popullore amerikane, për shumë stile të dallueshme si: ‘New Orleans Jazz’ që daton nga fillimi i vitit 1910, ‘Gypsy Jazz’ nga vitet 1930 dhe 1940, ‘Bebop’ nga mesi i viteve 1940, etj.
Instrumentet më të përdorura të muzikës jazz, janë: saksofoni, tromba, tromboni, bateria, kontrabasi, ksilofoni, etj.