Festivali ndërkombëtar i kitarës ‘Vihuela Guitar Fest’, fillon sonte (11.06.19) edicionin e shtatë me radhë, me aktivitete të shumta dhe me të ftuar special. Duke filluar nga ora 19:00 në ambientet e ‘Filharmonisë së Kosovës’ në Prishtinë, kitaristë të shumtë do të performojnë me instrumentin e kitarës. Drejtori i festivalit ‘Vihuela Guitar Fest’, Naser Dula, në një intervistë për Radio KFOR-in shpalosi detaje të shumta për këtë edicion:
“Ky festival është festival i parë në Kosovë që marrin pjesë shumë kitaristë ndërkombëtar, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Austrinë. Festivali në këtë edicion ka fokusin të promovoj kitaristë nga Kosova por të cilët jetojnë në Evropë. Në natën e parë do paraqitet kiatristi Vendim Thaqi nga Gjermania në një duo me pianisten Elza Mehmeti. Në natën e dytë të festivalit kitaristi Arben Begaj, i cili do të mbaj një prezantim dhe punëtori mbi instrumentin e kitarës për të demostruar se si prodhohet një kitarë. Nata e tretë dhe përmbyllëse e festivalit fillon me kitaristin dhe profesorin e këtij instrumenti Nderim Arifi dhe në fund do të paraqitet edhe kitaristi nga Korça por që jeton në Greqi, Grigor Ylli” u shpreh Dula.
Z. Dula ndër të tjera tha në Kosovë ka rreth 8 shkolla të kitares dhe rreth 200 kitaristë të rinj dhe me këtë rast ai ftoi të gjithë adhuruesit e këtij instrumenti por edhe ata të cilët pëlqejnë muzikën klasike, që të bëhen pjesë e këtij festivali.