Bota e fëmijëve është shumë interesante, me aventura, imagjinatë dhe kureshtje të vazhdueshme, për të njohur botën dhe çdo gjë që na rrethon.
17 janari, në gjithë botën shënohet si ‘Dita e shpikësve fëmijë’, një ditë që nderon idetë dhe shpikjet e fëmijëve. Kjo ditë është frymëzuar nga shpikja e Thomas Edison, i cili kishte filluar të shpikë që në moshën 10 vjeçare dhe njihet si një nga shpikësit më të mëdhenj fëmijë, në historinë njerëzore.
Kjo ditë shënohet që nga viti 2002 dhe është krijuar për të nxitur brezat e rinj të përdorin kreativitetin e tyre për të shpikur, eksperimentuar dhe për të krijuar gjëra të reja që mund të përmirësojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Disa shpikje të njohura që janë realizuar nga fëmijët përfshijnë: shpikja e një pajisje për të kontrolluar temperaturën e ujit të banjës, një shpikje nga një fëmijë 10-vjeçar që kishte pasur përvojën e djegies së duarve nga uji i nxehtë, pastaj pajisje për të mbledhur plastikën në oqeane, një ide që ka ardhur nga një grup fëmijësh që janë të shqetësuar për ndotjen e shkaktuar nga plastika dhe dëmet që shkakton ajo në mjedis.
Inkurajoni fëmijët të zhvillojnë imagjinatën dhe të eksplorojnë bashkë me ju duke kontribuar në zhvillimin e tyre.