Data e sotme, 16 nëntor, është një mundësi e shkëlqyer për ju që të kujtoni herën e fundit kur keni pasur një përballje me ndonjë individ, ku mund të keni mësuar për kulturën e tij apo të saj, apo të jeni treguar tolerant në ndonjë situatë! E pikërisht sot, kudo në botë shënohet ‘Dita Botërore e Tolerancës’, e cila zanafillën e saj e ka që nga viti 1995, e themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me qëllim që institucionet arsimore dhe publiku i gjerë, ta shohin tolerancën si një element kryesor të shoqërisë.
Në vitin 1995, ishte UNESCO që krijoi Deklaratën e Parimeve të Tolerancës, si një mënyrë për të përcaktuar dhe siguruar ndërgjegjësimin për tolerancën, për të ndihmuar në përhapjen e tolerancës dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çdo intolerancë që mund të jetë ende e përhapur në botë. Për më tepër, UNESCO krijoi një çmim për të vlerësuar njerëzit tolerant, me arritje të mëdha në promovimin e frymës së tolerancës duke i thënë jo dhunës, në fusha të tilla si: shkencë, kulturë dhe art.