“Dita Botërore e Pneumonisë” shënohet çdo vit më 12 nëntor, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për pneumoninë, një infeksion i rëndë i mushkërive që mund të shkaktojë vdekje, veçanërisht tek fëmijët dhe të moshuarit.
Në mbarë botën nga pneumonia vdesin çdo vit mbi 700.000 fëmijë, më shumë se nga çdo sëmundje tjetër infektive që prek të gjithë, por më së shumti fëmijët më të vegjël se 5 vjeç. Sipas hulumtuesve shëndetësor, pneumonia është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç në nivel global.
Shenjat dhe simptomat e pneumonisë janë: dhimbje gjoksi, konfuzion ose ndryshime në vetëdijen mendore (tek të rriturit e moshës 65 vjeç e lart), kollë, lodhje, ethe, djersitje dhe të dridhura, të vjella ose diarre, frymëmarrje e shkurtër, etj.
“Dita Botërore e Pneumonisë” mëton të nxis veprime për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e pneumonisë, duke theksuar rëndësinë e masave, siç janë: vaksinat, kujdesi shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve të jetesës e higjienës.