“Vjeshta sjell me vete kujtimin e një stine bujare; ngjyra, ndjenja, aroma, të korra dhe gjithçka flet për bukurinë e tokës, për mrekullitë e natyrës”, kjo është thënia e Stephen Littleword, që më së miri i tregon bukuritë e stinës së vjeshtës.
Sot (22.09.20), është dita e parë e stinës së vjeshtës e cila shënon edhe fillimin e gjysmës së dytë të sezonit të vitit, duke ndikuar në ngadalësimin e aktiviteteve të ndryshme të njerëzve dhe krijesave të tjera.
Për të ditur se sa pëlqehet stina e vjeshtës, Radio KFOR-i kontaktoi disa qytetarë, njëri ndër ta është edhe z. Faton Cakolli i cili tha: “Mua personalisht më pëlqen vjeshta sepse nuk është as shumë nxehtë e as shumë ftohtë. Plus, gjatë vjeshtës kemi më shumë kohë të kalojmë me familje, sepse punët e mëdha i kemi mbaruar gjatë pranverës dhe verës”.
Të njëjtin mendim e kishte edhe një dëgjues i tjetër i Radio KFOR-it, z. Jeton Bobaj: “Më pëlqen vjeshta sepse është një stinë që të ofron më shumë fruta dhe mot të freskët. Por, duhet të kemi kujdes se si po vishemi, sepse nga fundi i stinës fillon edhe moti të ftohet më shumë.”
Nga sot, stina e vjeshta do të zgjasë 89 ditë, deri më 22 dhjetor, kur edhe fillon stina e dimrit.