Që nga fillimi i testimit të armëve bërthamore në vitin 1945, janë kryer mbi 2.000 testime. Testimi i armëve bërthamore, ka shkaktuar efekte tragjike në shumë vende të botës. Me një rezolutë të veçantë Kombet e Bashkuara, në dhjetor të vitit 2009, kërkuan ndërgjegjësimin dhe edukimin mbi efektet e shpërthimeve nga testimi i armëve bërthamore, duke ngritur zërin për të ndaluar testimin e tyre në botë.
Data e sotme, 29 gushti, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare Kundër Testimit të Armëve Bërthamore’ dhe çdo vit, kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme në mbarë botën, si simpoziume, konferenca, ekspozita, botime të ndryshme mbi pasojat e kësaj çështjeje.
Disa nga testimet më të mëdha të armëve bërthamore, u zhvilluan në vitin 1954, në ishujt Marshalls, të njohura si testimet ‘Castle Bravo’.
Mbi 60 vende të testimit të armëve bërthamore në botë, vazhdojnë edhe më tej të jenë të kontaminuara duke prekur jetën e mijëra personave, të cilët kanë jetuar pranë këtyre zonave.