E shtuna e fundit e muajit mars, muajit që shënon edhe zyrtarisht hyrjen në stinën e pranverës, sjellë edhe ndërrimin e orës. Sonte akrepat e orës do të lëvizin një orë përpara, saktësisht në orën 02:00 pas mesnate, akrepat lëvizin në orën 03:00. Me ndërrimin e orës në rutinën e përgjithshme të jetës ndodhin edhe ndryshime të shumta.
Radio KFOR-i ka kontaktuar me sociologun Ferdi Kamberi, i cili tregoi më shumë rreth ndryshimeve që mund të përjetojmë gjatë kësaj kohe: “Shoqëria është dinamike dhe evoluon vazhdimisht dhe ndryshimi i orës mund të paraqesë ndryshime apo vështirësi të vogla në jetën tonë. Për shembull, mund të sjellë çrregullime në gjumë, pastaj aspekti i planifikimit të ditës për shkak se njerëzit janë mësuar të flenë më gjatë. Një pjesë e madhe e studimeve sociologjike dhe psikologjisë sociale tregojnë që ndryshimi i orës sjellë vështirësi edhe të tjera që përfshijnë edhe humbjen e oreksit, sepse njerëzit pothuajse gjysmë viti janë mësuar me orar tjetër dhe ju merr pak kohë deri të mësohen me ndërrimin e orës.”
Stina e dimrit sjellë vështirësi të shumta meteorologjike, por gjatë kësaj stine kemi komoditetin të flemë më gjatë, pasi netët janë më të gjata se në verë.