Sigurisht ju ka ndodhur që tani me zhvillimin e teknologjisë ndonjë mik apo familjar të ju fotografojë apo të postojë fotografi të juaja në rrjete sociale, që jo gjithmonë ju pëlqejnë apo disa prej tyre edhe ju bëjnë të ndiheni në siklet. Në përgjithësi, ju mund të shkrepni fotografi njerëzve kur janë në një vend publik, siç është parku, plazhi apo sheshi i qytetit dhe kjo është plotësisht e ligjshme, pasi që konsiderohet se personat po qëndrojnë në një vend publik dhe nuk cenohet intimiteti i tyre. Megjithatë, nëse fotografoni një pronë private, një dyqan apo një shfaqje teatrale, ju duhet të kërkoni leje, pasi këto hapësira konsiderohen private. Mirëpo, për kategori të shoqërisë që fotografimi konsiderohet i ndjeshëm, janë fëmijët, për të cilët duhet të kërkoni leje nga prindërit apo kujdestarët e tyre për fotografimin apo postimin e tyre. Disa nga dëgjuesit e Radio KFOR-it mendojnë se nuk është në rregull që të fotografohemi pa dijeninë tonë, ndërsa disa të tjerë e shohin këtë si diçka normale. Njëra dëgjuese e radios, Hana, tha: “Po sigurisht do t’më kishte penguar nëse ajo fotografi shfaqet në rrjetet sociale, në ndonjë gazetë apo revistë pra nëse bëhet publike pa e marrë lejën time do t’më kishte penguar shumë.”
Bardha: “Po jetojmë në botën e fotografimit dhe ekspozimit kaq të madh të rrjeteve sociale dhe teknologjisë në përgjithësi, kështuqë jo nuk do t’më kishte penguar asapak.”
Pavarsisht se si ndihemi kur fotografohemi pa lejën tonë, është gati e pamundur të kontrollojmë çdo gjë rreth nesh me zhvillimin drastik teknologjik, që në shumë raste mund edhe të ndodhemi në situata të pa këndshme e ndonjëherë edhe qesharake.