Në hapësirat e fondacionit ‘Shtatëmbëdhjetë’ në Prishtinë artistja, Koja, nesër (13 shkurt) nga ora 19:00 do të bëjë promovimin e librit të saj ‘Flirting with Leftovers’. Libri artistik në fjalë është një përmbledhje e një pune hulumtuese në terren dhe informata në lidhje me historikun e objektit tashmë të braktisur që njihet si ish-restorant ‘Marsi’, në Prishtinë. Në këtë libër janë përfshirë personazhe dhe biseda me persona të cilët ndajnë kujtime dhe informata në lidhje me historinë e objektit dhe personalitete që kanë shpalosur detaje rreth historisë moderne në Kosovë.
Menaxherja e komunikimit në ‘Fondacionin 17’, Sihana Klisurica, për Radio KFOR-in tregoi për rëndësinë e madhe që përmban ky libër: “Qëllimi i këtij libri është që të shërbej si një dokument i cili vë në pah rëndësinë e ruajtjes së memories kolektive dhe ri-jetësimit të objekteve të braktisura të cilat mund të kthehen në hapësira për shfrytëzim nga komuniteti. Gjatë prezantimit të librit, Koja do të ndajë detaje rreth konceptit të saj, e po ashtu edhe punës që është bërë për realizimin e librit, i cili është botimi i parë i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.
Libri ‘Flirting with Leftovers’ është botuar si pjesë e edicionit të dytë të “Metamorphosis”, projekt ky i cili implementohet nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” dhe ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit.