Adhuruesit e muzikës rock, sonte (21 qershor), duke filluar nga ora 20:00, në Teatrin ODA, tek Pallati i Rinisë dhe i Sporteve, do të kenë mundësi të dëgjojnë zhanrin e tyre të preferuar. “Rock Për Rock” është festival tradicional, i cili mbahet që nga viti 2001, me qëllim të argëtimit si dhe promovimit të rock bendeve të reja dhe këngëve të tyre origjinale në industrinë e muzikës dhe para publikut të festivalit.
Njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e OJQ-së “Rock për Rock”, Agim Berisha, për Radio KFOR-in tha se në secilin edicion mundohen të sjellin risi: “Në çdo edicion paraqiten grupe të reja. Mirëpo, nganjëherë paraqitet edhe ndonjë grup që ka marr pjesë edhe në edicionet e kaluara. Ne e kemi bërë edhe si praktikë që në secilin edicion, me pas paraqitjen edhe të ndonjë prej bendeve më të vjetra, që të rinjtë me e pa krijimtarinë edhe të muzicientëve apo të kolegëve më të vjetër. Këtë vit po e organizojmë edicionin e 18-të me radhë dhe po ma merr mendja që kushdo që do të vjen, me siguri do të gjejë diçka për vete”, tha z. Berisha.
Çmimi i biletës për koncertin “Rock për Rock” është 2 euro, kurse shtija e tyre bëhet dy orë para se të filloj koncerti, në hyrje të Teatrit ODA.