Skulptori dhe profesori Avni Behluli, me 13 shtator do të hapë ekspozitën personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës nga ora 19:00.
Në këtë cikël të punimeve Behluli në një intervistë për Radio KFOR-in tregoi për natyrën e ekspozitës së tij duke treguar se si do të paraqitet në këtë ekspozitë:
“Kjo është ekspozita e 23-të e imja dhe në këtë ekspozitë unë do të prezantohem me dy cikle, kryesisht me vizatime dhe grafika. Këto cikle janë ‘Simfonia e artit’ dhe një autobiografi. Gjithë ekspozita në tërsi ka mesazhin e artit shpirtëror dhe ndjenjave personale dhe mesazhi i gjithë ekspozitës është që të shpërfaq vlera artistike aq sa kanë lejuar rrethanat dhe aftësia dhe mundësia personale si krijues. Prandaj, publiku ka mundësi që të vijë dhe përmes artit tim të gjej edhe copëza nga jeta e tyre”, tregoi Behluli.
Skulptori Behluli për fund shprehu mirënjohjen e tij për akademikun dhe artistin Rexhep Ferri, i cili është edhe kurator i ekspozitës së tij.