Konferenca Ndërkombëtare mbi Linguistikën, Gjuhësinë, Letërsinë dhe Didaktikën (ICLLD) do të mbahet nesër (08.09.18) në Prishtinë, konkretisht në Kolegjin AAB, ku përveç mirëpritjes Kolegji në fjalë është edhe organizatore e kësaj konference, e cila është në partneritet me universitetet e Tiranës, Korçës dhe të Manastirit.
Mbi 80 studiues, nga Kosova dhe rajoni, nesër do të kenë mundësi t’i shpalosin punimet e tyre shkencore.
Konferenca mbahet për herë të tretë, por për dallim nga vitet e tjera këtë vit i është shtuar edhe fusha e didaktikës. Pikërisht për këtë, Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatoren e konferencës, njëherit Dekanen e Departamentit të Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB, e cila na shpjegoi më shumë rreth konferencës në fjalë.
“Didaktikën si fushë të veçantë e kemi futur kësaj radhe në kuadër të konferencës me qëllim specific, që të gjithë pjesëmarrësit të cilët vijnë të mos e kenë vetëm hapësirën për gjuhësi dhe letërsi. Qëllimi është që të bëhet një kombinim i të tri fushave të përbashkëta, të cilat pastaj do të nxjerrin rezultate që presim nga secila konferencë, të shihen se cilat janë përparësitë, cilat janë të arriturat, çfarë kërkohet më tutje, cilat do të jenë rekomandimet për punën e mëtejme, si në aspektin shkencor ashtu edhe aspektin praktik, qoftë të letërsisë, qoftë të gjuhësisë apo edhe të didaktikës, pedagogjisë dhe të lëmive të cilat ngërthehen në këtë konferencë.”
Konferenca Ndërkombëtare mbi Linguistikën, Gjuhësinë, Letërsinë dhe Didaktikën është ndarë në gjashtë sesione, dhe në fund të ditës do të dilet me konkluzione.