Edhe pse skijimi modern është zhvilluar në Skandinavi, pikturat 10,000 vjeçare tregojnë përdorimin e skive në rajonin e Xinjiang-ut të Kinës. Fillimisht, skijimi nuk është paraqitur si sport, por si nevojë e njerëzve për të siguruar ushqimin.
Tashmë, skijimi praktikohet nga miliona njerëz, në mbarë botën, si formë sporti profesional dhe rekreativ. Megjithëkëtë, skijimi mund të jetë i rrezikshëm nëse nuk merren masat e duhura për t’u përgatitur.
Për të mësuar më shumë rreth procesit të mësimit të skijimit, Radio KFOR-i kontaktoi, kryetarin e klubit të skitarisë “Nici”, Mentor Maloku, i cili thotë se të mësuarit e skijimit ka lidhje me dashurinë për këtë sport: “Të mësosh të skijosh është shumë e lehtë, por ka vetëm një kusht, duhet ta duash, sepse deri tani nuk njoh një person të vetëm që ka ndjekur klasë skijimi dhe nuk e ka mësuar atë. Për të qenë të sigurt duhet ndjekur disa hapa, nën vëzhgimin e instruktorit, i cili ndihmon dhe mbron nga lëndime të mundshme. Prandaj, një fillestarit i duhen vetëm 2 ose 3 orë mësim për të skijuar i pavarur, prandaj ky sport është i qasshëm për të gjithë njerëzit”, tha instruktori Mentor Maloku.