Skemës së pasur të programit të Radio KFOR-it, përgjatë vikendit, të shtunën dhe të dielën i shtohen edhe dy emisione autoriale të reja.
Emisioni ‘Culture Mix’, është një emision javorë, të cilin mund të dëgjoni çdo të shtunë, nga ora 14:00, me përmbledhje e ngjarje kryesore nga fusha e kulturës. Përgjatë 60-të minutave do të keni mundësi të dëgjoni intervista ekskluzive, lajme nga teatri, baleti, muzika, të informoheni për ekspozita e aktivitete kulturore, të cilat zhvillohen në vend dhe përfshijnë çdo aspekt të kulturës, nën moderimin e prezantueses/gazetares, Vjosa Spahiu Gola.
Një tjetër risi që ju pret në Radio KFOR është edhe emisioni ‘Fakte Interesante’ ku çdo të diel, nga ora 16:00 deri në ora 17:00 do të keni mundësi të dëgjoni fakte interesante, nganjëherë edhe të pabesueshme, por të vërteta. Ky emision i cili do të ju dhurojë momente habie, por edhe do të ju pasurojë me informacione nga fusha të ndryshme, moderohet nga prezantuesja/gazetarja, Merita Gjoni.
Radio KFOR-i do të jetë gjithmonë miku juaj i udhëtimit dhe punës suaj, duke ju ofruar informacione e muzikë të mirë, nëpërmes skenës programore e cila pasurohet çdoherë.