Zhvillimi i madh teknologjik po ndikon në çdo fushë të jetës. Reflektimi pozitiv i teknologjisë vërehet gjithandej, e të gjithë pajtohemi, se sot, falë teknologjisë, na është lehtësuar jeta. Mirëpo, një nga sfidat më të mëdha me të cilën përballet teknologjia, është siguria e të dhënave online. Nuk ka rëndësia a jeni kompani apo person privat, nëse nuk tregoni kujdes, mund të bini pre e mashtrimeve dhe rrjedhjes së të dhënave tuaja, e të njëjtat më pas mund të manipulohen. Prandaj, për të shmangur një situatë të tillë, Radio KFOR-i ka intervistuar ekspertin e sigurisë kibernetike dhe njëherit udhëheqësin e “Cybersecurity and Privacy”, z. Mentor Hoxhaj, i cili ndau me ne këshilla praktike që duhet të aplikojmë kohë pas kohe, në mënyrë që të jemi më të sigurt online: “Rregulli numër një, mos harroni që nuk ka siguri absolute. E ndër këshillat praktike që ua rekomandoj të gjithëve janë: Shfrytëzoni autentifikimin e dyfishtë (2FA) kurdo që keni mundësi, Fjalëkalimi (password) mbetet ende mjet i rëndësishëm, andaj, vendosni një fjalëkalim sa më të vështirë të manipulueshëm dhe mos e ndani me askënd, telefonat e mençur janë pjesë e rëndësishme e jetës sonë, prandaj, kujdesi duhet të jetë maksimal për sigurinë e tyre (password, fshirje automatike nga largësia dhe aktivizimi i “find my phone”, kurdo që e humbni pajisjen apo qasjen në llogarinë tuaj (email, social media), menjëherë merrni masat për zvogëlimin e rrezikut nga qasja e paautorizuar apo publikimi i tyre.”
Z.Hoxhaj gjithashtu tha se, në rastet kur humbisni pajisjen apo qasjen në llogarinë tuaj, mendoni që rastin ta paraqisni edhe në polici, në mënyrë që të minimizoni dëmin.