Me shumë gjasë keni dëgjuar për “kërcënimet kibernetike” dhe për rreziqet e shumta që mund të sjellë ekspozimi i secilit nga ne në rrjete sociale, duke komprometuar privatësinë tonë. Prandaj ekspertët e fushës përkatëse, nënvizojnë që në botën e sotme kibernetike, askush nuk është i sigurt. Kërcënimi kibernetik është mundësia e një përpjekjeje keqdashëse, përmes qasjes së paautorizuar të kryer nga individë ose organizata, për ta dëmtuar ose prishur një rrjet ose sistem kompjuterik. Tashmë shumë vende nëpër botë kanë prioritet investimet për t’iu përgjigjur rritjes së aktiviteteve kriminale kibernetike.
Çdo inkurajim i të rinjve për t’u angazhuar në sigurinë kibernetike në Kosovë, do të thotë përgatitje për luftime kibernetike në të ardhmen. Mbështetja e të rinjve në këtë fushë do të thotë mbështetje për sigurinë e institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.
Kujtojmë që në muajin shtator të vitit të kaluar, Kosova miratoi Projektligjin për Siguri Kibernetike, që mundësoi themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike në Kosovë.