Teknologjia ka ndikuar në të gjitha fushat jetësore. Ka ndihmuar në zhvillimin e ekonomisë globale dhe ka lehtësuar përditshmërinë e secilit individ, duke sjellë mundësi të shumta. E me gjithë të mirat, teknologjia njeh edhe shumë rreziqe për të cilat ekspertët në vazhdimësi ngrehin alarme. Një prej fushave më të ndjeshme është siguria kibernetike, e cila na sfidon të gjithëve, nga individët që mund të kenë, vetëm një llogari të hapur në rrjetet sociale, e deri tek korporatat e fushës së teknologjisë. Nuk ka rëndësi, a jeni kompani apo person privat, nëse nuk tregoni kujdes, mund të bini pre e mashtrimeve dhe rrjedhjes së të dhënave të juaja, e të njëjtat më pas mund të manipulohen. Prandaj, për të shmangur një situatë të tillë, Radio KFOR-i sot, ju sjell disa prej këshillave këshilla praktike që duhet të aplikojmë kohë pas kohe, në mënyrë që të jemi më të sigurt online:
Fjalëkalimi: Sigurohuni që të vendosni një fjalëkalim sa më të vështirë të manipulueshëm dhe mos e ndani me askënd. Fjalëkalimet duhet të jenë të kombinuara me shkronja të mëdha, të vogla, numra dhe simbole.
Aktivizoni qasjen dy-faktorë: Përdorni autentifikimin apo qasjen dy-faktorë (2FA), sepse kjo do t’ju shtojë një siguri ekstra, online.
Kujdesuni me e-mailat dhe mesazhet: Mos hapni e-maila apo mesazhe që janë dërguar nga burime të pa njohura ose të dyshimta. Ato mund të përmbajnë viruse të rrezikshme ose softuer të dëmshëm.
Përdorni programe të sigurisë dhe antivirus: Instaloni një program antivirus dhe programe të tjera të sigurisë, për të mbrojtur pajisjet tuaja nga softuer të dëmshëm dhe nga hakerët.
Kujdesuni për të dhënat personale: Mos ndani të dhënat personale, si numra të kartës së identitetit, të sigurimit shëndetësor, informacionin e llogarisë bankare ose fjalëkalimet, me persona të panjohur ose nëpërmjet e-mailave.
Kontrolloni të dhënat që publikoni në rrjetet sociale dhe faqet e tjera të internetit: Kini parasysh që informacioni i publikuar mund të shihet nga të tjerë, kështu që mos jepni informacion të ndjeshëm publikisht.
Bëni kopje rezervë të të dhënave: Mbani kopje të rëndësishme të të dhënave tuaja në një vend të sigurt, jashtë pajisjeve tuaja të lidhura në internet. Kjo ju ndihmon të riparoni në rast se pajisjet tuaja bien pre e ndonjë sulm kibernetikë.
Dhe mos harroni që rregulli numër një, është që nuk ka siguri absolute. Kujdesi për sigurinë kibernetike është përgjegjësi e secilit prej nesh, në kohët moderne të internetit dhe teknologjisë e duke ndjekur këshillat e mësipërme, ju do të jeni më të sigurt në botën dixhitale.