“Parashikoni, përgatitni dhe përgjigjuni krizave – Investoni Tani në Sisteme Elastike të Sigurisë në Punë dhe Shëndet”, kjo është motoja e sivjetme e “Ditës Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, e cila shënohet sot (28 prill) dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për çështjet e sigurisë dhe shëndetin në vendin e punës.
Kjo ditë përkon edhe me “Ditën Përkujtimore të Punëtorëve”, e njohur gjithashtu si “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit për të Vdekurit dhe të Dëmtuarit në Punë”, e cila shënohet çdo vit në të gjithë botën, për të përkujtuar punëtorët që kanë ndërruar jetë apo janë vrarë në orarin e punës, ata që kanë mbetur me aftësi të kufizuara, të plagosurit ose të sëmurët nga puna e tyre.
Megjithëse 28 Prilli, përdoret si pikë qendrore për përkujtim dhe si ditë e solidaritetit ndërkombëtar, fushatat dhe aktivitetet e tjera të lidhura me këtë ditë vazhdojnë edhe gjatë gjithë vitit, në të gjithë botën.