Berat Bajrami, është një i ri nga Rahoveci, që është shembulli më mirë i tejkalimit të të gjitha barrierave, qofshin ato gjinore apo etnike. Berati me profesion është artist, ka përfunduar masterin në Fakultetin e Arteve, në Universitetin e Prishtinës në degën e Grafikës, ndërsa emrin e tij mund ta hasim në shumë vende dhe projekte të ndryshme shumetnike.
Z. Bajrami është koordinator i projekteve në Qendrën Artpolis, e përpara kësaj ka qenë edhe gazetar ku ka punuar për 5 vite në Grupin KOHA, derisa paralelisht është angazhuar në projekte artistike e kulturore. Për Radio KFOR-in ai ka treguar disa nga angazhimet e shumta që ka pasur gjatë karrierës së tij: “Angazhimi im në të mirë të komunitetit ka nisur kohë më parë. Vitin e shkuar e kam pasur një ekspozitë personale, pastaj një kolektive ku janë trajtuar çështjet emergjente të ambientit, kurse tani në angazhimin tim në Artpolis, punojë drejtpërsëdrejti me të rinjtë e të gjitha komuniteteve, në trajnimin ‘Edukimi i Bazuar në Teatër’. Kam bashkëpunuar me Dr. Ellen Frank, gjatë projekteve të “Cities of Peace” në Prishtinë, me ç’rast kam marr statusin e “Artist Peace Builder” (Artist i Ndërtimit të Paqes).
Duke folur për eksperiencën që ka pasur nga bashkëpunimi me komunitetet tjera, përmes Radio KFOR-it, z. Bajrami ka përçuar edhe mesazhin se bashkëpunimi në mes të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë, është çelësi i një të ardhme të ndritur për të gjithë: “Duke marr parasysh përvojat që kam pasur me komunitetet tjera, si komunitetin serb, egjiptian rom e ashkali, gjatë kontaktit direkt dhe mundësisë që me komunikua të gjithë se bashku, e kam parë se të gjithë jemi të së njëjtës shoqëri e i kemi edhe problemet e njëjta. Në bazë të përvojës që kam, ne si shoqëri pa dallim etnie, duhet që sa më tepër të kemi trajnime ndëretnike, punëtori, aktivitete artistike e sportive, në mënyrë që sa më shumë të kemi kontakte ndëretnike e direkte, që të njoftohemi sa më shumë dhe të bashkëpunojmë sa më shumë me njëri-tjetrin.”