Si të paguajmë më pak për energji elektrike?
Kohëve të fundit në vendin tonë, kemi pasur probleme me furnizim me energji elektrike dhe si pasojë e kësaj gjatë fund vitit të 2021-tës, kemi hasur edhe në reduktime të shpeshta të rrymës, si pasojë e ngarkesës së madhe në rrjetin energjetik të Kosovës, prandaj edhe nevoja për kursim të energjisë elektrike është shumë e madhe. Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë më Inxhinierin e Elektroenergjetikës, z. Valon Murati, i cili na tregoi se cilat pajisje elektrike shpenzojnë më shumë dhe mënyrat se si mund të kursejmë energjinë elektrike:
Radio KFOR-i: Cilat pajisje shtëpiake janë shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike?
Z. Valon Murati: Shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike në shtëpi, janë pajisjet për ngrohje dhe ftohje siç janë: kaldaja elektrike (9, 12 ,14, 18, 21, 24 dhe 28kW – 3780kWh rreth 70% të faturës), kondicioneri (2 – 5kW, për 6 orë në ditë përdorim rreth 27 euro) dhe bojleri (1.5 – 2kW, 2h e 15 minuta, gjatë muajit 6 – 10 euro). Pas tyre vijnë pajisjet tjera elektro-shtëpiake, siç janë: rrobalarësja (rreth 1.3kW – 2.4kWh për cikël të larjes, ose 1.5 deri 4 euro në muaj, ndërsa tharësja e teshave 3 – 6 euro), enëlarësja (0.574 kWh për cikël, 1.26 ose 54 cent për muaj), shporeti elektrik ( 2 deri në 5kW, 7 deri 10 euro në muaj), frigoriferi (22 deri 150kWh, rreth 2.75 euro në muaj) dhe mikrovala 1.2kW(300Wh për 15 minuta, 2 cent). Shpenzimet e këtyre pajisjeve e përbëjnë rreth 90% të faturës së energjisë elektrike. Ndriçimi dhe pajisjet tjera elektronike në shtëpi e përbëjnë 10% tjetër të kësaj fature. Vlen të përmenden edhe veturat elektrike, si një ngarkesë e së ardhmes. Harxhimet i kanë 0.20 kWh/km. Për 100km harxhojnë rreth 1.4 euro me tarifën e shtrenjtë apo 0.6 me tarifën e lirë.
Radio KFOR-i: Sa shpenzojnë pajisjet tjera si TV, kompjuteri apo mbushësi i telefonit, nëse rrinë ndezur edhe kur nuk përdoren?
Z. Valon Murati: Këto pajisje janë shpenzues të vegjël të energjisë elektrike. Varësisht nga teknologjia dhe madhësia e ekranit, TV harxhon nga 50 deri në 150W, në baza mujore kjo vlerë shkon deri në 60kWh, që mund të na kushtojë nga 1.5 – 3 euro. Llap-topi 80W për përdorim 8 orësh rreth 18kWh, më pak se 1 euro në muaj. Telefoni 5.4Wh, PC 200Wh që i bie rreth 3 euro në muaj në përdorim 8 orësh dhe PS4 165 – 310W, rreth 1.5 cent ora.
Nga viti 2009 sipas rregullores së BE, pajisje të tilla si TV, PC, video-lojërat, kalojnë në modalitetin e nivelit të ulët të konsumit të energjisë pas disa minutave jo përdorimi, meqë nga viti 2013 është përcaktuar edhe niveli i energjisë i lejuar për modalitetin Standby. Sipas Bashkimit Evropian, me anë të asaj rregulloreje në Evropë janë kursyer rreth 35.5 TWh, që i bie të jetë sa konsumi total i Rumanisë për 1 vit.
Radio KFOR-i: Si mund të kursejmë më shumë energji elektrike ?
Z. Valon Murati: Të zëvendësohen pajisjet e vjetra elektro-shtëpiake me më të reja dhe efiqiente. Varësisht sa të vjetra janë pajisjet, rikthimi i investimit mund të jetë në disa vjet dhe ndikon direkt në zvogëlimin e çmimit të energjisë në faturë. Në disa pajisje dallimi mes pajisjes me efiqiencë A dhe asaj me efiqiencë G, është rreth 40%. Pajisjet elektro-shtëpiake duhet të përdoren gjatë orarit të tarifës së lirë, sidomos ato pajisje që nuk është e domosdoshme të operojnë gjatë ditës.
Çmimi i energjisë elektrike gjatë tarifës së lirë, është 57% më i ulët.
E thamë më herët që shpenzuesit më të mëdhenj janë pajisjet për ngrohje dhe ftohje, e këtu mund të kursejmë energjinë elektrike duke kontrolluar temperaturën, zbritja për vetëm 2°C e temperaturës së dhomës, ndikon në zvogëlimin 5% të faturës mujore.
Të përdoret drita e diellit sa më shumë për ndriçim, ndërsa roletat për të mbajtur nxehtësinë gjatë temperaturave të ulëta.
Të ndalet uji i ngrohët gjatë kohës që nuk përdoret. Shkyçni nga priza pajisjet që nuk i përdorni. Praktikoni tharjen natyrale të rrobave, përdorni mikrovalën para shporetit elektrik dhe gjithashtu poqët elektrikë të jenë të teknologjisë LED, një teknologji që shpenzon 90% më pak energji elektrike se sa poqët e modeleve të vjetra.