Provat aktuale tregojnë që ‘COVID-19’, përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të njerëzve, kurse në mënyrë indirekte përmes objekteve ose sipërfaqeve të kontaminuara, ose kontaktit të ngushtë me njerëzit e infektuar.
Që të kemi një përgjigje profesionale, Radio KFOR-i kontaktoi, specialistin e pulmologjisë, i cili merret me trajtimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të mushkërive dhe të frymëmarrjes, Dr. Besim Morina, i cili shpjegoi: “Tanimë e kemi edhe më të qartë shpërndarjen dhe sjelljen e virusit. Po shihet se rruga kryesore e bartjes së virusit është rruga ajrore. Kështu që, fokusi kryesor është vendosur në ndërprerjen e bartjes ajrore, pra është sëmundje që bartet përmes pikëzave të vogla që dalin gjatë të folurit, gjatë teshtitjes apo gjatë kollitjes dhe bartet nga një person tek personi tjetër. Prandaj, përveç mbajtjes së maskës e cila do ta parandalonte shpërndarjen e pikëzave është edhe mbajtja e distancës, pra vetëm nëse mbahet distanca dhe mbahet maska shpërndarja e virusit do të ulej në mënyrë drastike.”
Për të shmangur kontaktin me këto pikëza (spërkla), është e rëndësishme të qëndrojmë larg njëri-tjetrit të paktën 2 metra, të mbajmë maskë si dhe të kujdesemi për pastërtinë personale dhe kolektive.