Njerëzit me ndikim ose influencë në rrjete sociale, qofshin ata blogerë të bukurisë, modës apo blogerë të lojërave online, duket se luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e të miturve, pasi ata kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre duke shikuar, pëlqyer dhe duke i komentuar videot e këtyre personave.
Por si ndikojnë këta persona me influencë në jetën e të rinjve dhe fëmijëve, dëgjuesja e Radio KFOR-it, Tesa thotë: “Personalisht besoj që njerëzit me influencë në rrjetet sociale, kanë një ndikim shumë të madh tek fëmijët dhe të rinjtë. Sa i përketë fëmijëve, mendoj që prindërit duhet të kenë një kontroll më të madhe mbi ta se çfarë ata përcjellin përmes videove edhe pse jo çdo herë mund të jenë të këqija pasi ka edhe personalitete që me anë të fjalëve të tyre kanë influencë për të mirë tek të rinjtë edhe fëmijët.”
Ndërsa, dëgjuesi Arbeni mendon se njerëzit që kanë ndikim përmes videove në rrjetet të ndryshme sociale, nuk po ofrojnë diçka edukative: “Mendoj që kohëve të fundit, videot e postuara në rrjete sociale të personave me influencë, nuk e kanë pasë ndikimin më të mirë tek të rinjtë edhe fëmijët pasi gjithçka po përqëndrohet veç te argëtimi dhe shumë pak po ka hapësirë për gjëra edukative, për shkencë e teknologji.”
Shikimi i videove në internet po bëhet një pjesë e rëndësishme e ditës së fëmijëve. Megjithatë, kritikët e mediave sociale jo rrallë sugjerojë prindërit që t’i largojnë fëmijët nga ndjekja e tepruar e videove të influencerëve në rrjete të ndryshme sociale, pasi lidhja virtuale që fëmijët krijojnë me ta, prodhon efekte negative sociale tek fëmijët.