“Gratë janë arkitektet e vërteta të shoqërisë”, kështu ka thënë këngëtarja e famshme Cher dhe kjo është vetëm njëra ndër qindra e mijëra thëniet që kanë për qëllim të vënë në pah rolin e gruas në shoqëri. Duke njohur kontributin dhe rolin e grave në shoqëritë e botës, data e sotme 8 Marsi, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Gruas”. Shoqëria kosovare numëron mijëra gra, të cilat punojnë çdo ditë që roli i gruas të jetë aty ku e meriton. Njëra ndër këto gra të suksesshme është edhe bashkëthemeluesja dhe njëherit drejtoresha ekzekutive e kompanisë B2 – PR & Media Solutions, Vjosa Berisha, e cila merret me marrëdhëniet me publikun dhe produksionin e filmit, gjithashtu edhe bashkëthemeluese e Festivalit të Filmit Ndërkombëtar – PRIFEST. Zonja Berisha përmes frekuencave të Radio KFOR-it tregon se cili është çelësi i suksesit të arritjeve të saja: “Suksesi vjen atëherë kur je i përkushtuar ndaj punës, kur e doni punën dhe i respektoni të tjerët që punojnë së bashku me ty. ”
‘8 Marsi’ është një ditë që në vete ngërthen dashuri të pafund, për ato gra që na sollën në jetë. Kjo ditë shënohet nën emërtimin ‘Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Grave’ dhe ka origjinën e vet në demonstratat e grave në fillim të shekullit XX, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një periudhë kjo shumë e rëndë për gjendjen e gruas, e tronditur nga trazirat, shtimi i popullsisë si dhe nga fillet e një bote të industrializuar.