Për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka të gatshme tre skenarë të ndryshëm, skenarin A – për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.
Se si qëndron situata aktuale me Covid- 19 në arsim, Radio KFOR-i ka kontaktuar zëdhënësen në Ministrinë e Arsimit, znj. Iliriana Pylla, e cila tregoi: “Nga të dhënat që marrim çdo ditë nga terreni, vërejmë se ka rënë dukshëm numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me kovid. Nga 775 institucione edukative dhe arsimore, 745 janë duke punuar me skenarin e rikthimit. Sipas skenarit A – janë 10 shkolla, sipas skenarit B – nuk është duke punuar asnjë shkollë dhe sipas skenarit C – janë duke punuar 22 shkolla. Ndërsa, numri i mësimdhënësve aktiv me covid-19 është 457, numri i personelit tjetër aktiv me covid-19, është 203 dhe numri nxënësve aktiv me covid-19 është 1.987.”
Zëdhënësja Pylla, tregoi gjithashtu se numri i nxënësve të vaksinuar, për grup moshën 12-18 vjeç, nga data 29.03.21 deri më datën 09.02.22, ka arritur në 78.532 nxënës.