“Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit” është vetëm një nga ngjarjet e shumta shumë etnike që organizohet nga Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës. Kjo ngjarje, e cila ishte paraparë të mbahej nga dita e nesërme, 19 qershor, është shtyrë për një javë dhe do t’i hapë dyert për vizitorë të enjten e ardhshme, me datën 25 qershor.
Shtyrja e kësaj ngjarje që bën bashkë artistë nga Kosova, pa dallim të nacionaliteti, e madje edhe artistë ndërkombëtarë, është bërë për shkak të konfirmimit të dy rasteve të para pozitive me virusin ‘Covid – 19’, në stafin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në hapësirat e së cilës do mbahet kjo ngjarje.
Radio KFOR-i ka kontaktuar kryetarin e Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, Kamuran Goranci, i cili bëri të ditur se tanimë janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë event: “Ky event ishte paraparë të hapej më 2 prill, por një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të qëndrimit nëpër shtëpi në kohë pandemie. Ky event është ndërkombëtar, ku mbi 48 për qind janë artistë ndërkombëtarë nga Sllovenia, Kroacia, Italia dhe Maqedonia e Veriu. Do të thotë kemi një kolazh mjaft të mirë për artdashësit dhe artistët që të shohin trendet më të fundit të vizatimit. Do të jetë një event që do organizohet çdo dy vjet”.
Karakteri shumë etnik i kësaj ngjarjeje është shumë i rëndësishëm për kryetarin e Asociacionit, Z. Goranci, i cili për Radio K4 tutje shtoi: “Ne si Asociacion i kemi ftuar të gjithë artistët në Kosovë, pa dallim, që të marrin pjesë në këtë ngjarje, pavarësisht racës, moshës apo gjinisë. Nga artistët kosovarë kemi edhe përfaqësues serbë. Ai është edhe anëtar i Kryesisë në Asociacionin tonë. Nuk kemi pasur diskriminim në baza etnike apo dallime tjera në këtë organizim. Ngjarja do të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë, andaj ftoj të gjithë artistët, pavarësisht nacionalitetit të tyre, që të vinë të shohin vizatimet ndërkombëtare që janë të trendeve të fundit”.