Dashuria, sinqeriteti dhe besimi i ndërsjellë, janë në mesin e faktorëve kyç që ndikojnë në funksionimin sa më të mirë të një martese. Pikërisht sot, më 26 janar, bashkëshortët shënojnë ditën e tyre.
Një çift që me të drejtë mund të vlerësohet si një nga sinonimet më të mira të lumturisë, janë Drita dhe Albani, të cilët ka vite që dashurinë e tyre e kanë kurorëzuar me martesë dhe tanimë janë prindër të dy fëmijëve. Në këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar Drita Vitinë, e cila me profesion është gazetare dhe e cila tregoi se pse dashuria dhe harmonia në çift janë shumë të rëndësishme: “Dashuria dhe harmonia në çift është e rëndësisë së parë, për vet faktin se nuk mund të kesh një lidhje, aq më pak martesore, nëse nuk i ke këto dy tipare. Por, përveç martesës, dashuria dhe harmonia janë jetike për krijimin e familjes, rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Harmonia vjen me dashuri.”
Të njëjtin mendim e ndan edhe Grenata Thaçi, e cila bashkë me Albertin, janë prindër të një vajze të vogël, të cilës përpiqen që çdo ditë t’i dhurojnë sa më shumë dashuri: Në një përgjigje për Radio KFOR-in, Grenata tha: “Një çift pa dashuri, nuk mund të kenë një martesë me jetë të gjatë dhe të shëndoshë. Në martesë duhet t’ketë mirëkuptim, respekt dhe dashuri, sidomos kur aty ka edhe fëmijë, pasi që fëmija është pasqyrë e veprimeve dhe e lidhjes së prindërve.”
Andaj miq, në këtë ditë dhe çdo ditë tjetër shpërndani sa më shumë dashuri për bashkëshortin/en tuaj dhe ua rikujtoni atyre se sa të rëndësishëm janë për ju!