Ditët e fundit pamë përmbylljen e një faze të rëndësishme të një projekti, që synon rritjen e kapaciteteve të Spitalit Universitar të Prishtinës, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet misionit të KFOR-it, Shoqatës “Nicola Ciardelli” dhe Spitalit të Pizës, për ti mundësuar Departamentit të Onkologjisë në Pediatri, për implantimin e kateterit venoz qendror, në pacientët e rinj që vuajnë nga tumoret malinje.
“Është një pjesë e zemrës sime në të cilën Nicola jeton, është ajo që do të kishte dashur për këta fëmijë”, me këto fjalë, avokatja Federica Ciardelli, Presidente e Shoqatës “Nicola Ciardelli”, emër ky i oficerit të ushtrisë italiane, i cili ishte viktimë e një sulmi në vitin 2006, gjatë shërbimit në Irak, përshëndeti misionin e KFOR-it dhe personelin e spitalit të Prishtinës, para se të hipte në aeroplan dhe të kthehej për në Itali.
Shoqata e themeluar në kujtim të Nikollës, deri më tani ka mundësuar ndihmë konkrete për rreth 700 pacientë të rinj të regjistruar në repartin e onko-hematologjisë pediatrike në Spitalin e Prishtinës si dhe ndihmë për familjarët e pacientëve të vegjël.
Kjo është bërë e mundur edhe falë krijimit të një ambienti mikpritës dhe pa pagesë, i përshtatshëm për të akomoduar prindërit e fëmijëve të shtruar në spital, të cilët përndryshe nuk do të kishin mjetet e nevojshme për të përballuar udhëtimet e gjata, të nevojshme për të administruar jetën si dhe sigurimin e terapive e nevojshme onkologjike.
Fondacioni Nicola Ciardelli së bashku me Fondacionin “Cure2children” dhe “Fondacioni Stefano Bellaveglia”, kanë bërë të mundur që më shumë se njëqind familje të përfitojnë nga një program i mbështetjes ekonomike, i mundësuar edhe nga hapja e “Shtëpisë së Fëmijëve të Nikollës” në Prishtinë, në vitin 2018.
Terapitë e kancerit në fakt kërkojnë infuzione të vazhdueshme të barnave të kimioterapisë, të cilat shkaktojnë vuajtje shtesë për pacientët e rinj, që shpesh zgjasin me muaj, nëse jo me vite.
Prandaj, Federica besonte në këtë të drejtë që në fillim: ‘Ne duhet të sigurohemi që shëndeti publik të jetë gjithashtu në gjendje të implantojë dhe menaxhojë aparate që lejojnë administrimin e barnave pa pasur nevojë të ri-injektohen në trupin e pacientit, duke lehtësuar kështu vuajtjet e panevojshme dhe duke bërë trajtim më efektive.’
Apelit iu përgjigj menjëherë me entuziazëm nga Italia, në muajin prill edhe doktoresha Lara Tollapi, e cila personalisht kontribuoi në trajnimin e dy mjekëve nga spitali i Prishtinës në departamentin e onko-hematologjisë pediatrike dhe anestezisë dhe terapisë, në spitalin e Pizës. për të mundësuar instalimin e kateterave venoz pediatrikë.
Entuziazmi për nismën përfshiu më pas Dr. Sandra Mechelli, mjeke interniste në fuqi në O.U të AOUP. Medicina 4, dhe Dr. Tommaso Ferroni, osteopat pediatrik, President i Shoqatës së Osteopatisë Kairos dhe i Shkollës Italiane të Osteopatisë Pediatrike, i cili ka bashkëpunuar me Spitalin Universitar Meyer, në Firence, që nga viti 2008.
Mjekët, së bashku me Avvocato Ciardelli, zbarkuan në Prishtinë më 6 shkurt, me qëllim të mbikëqyrjes së dy operacioneve të para në Pediatri, të kryera nga mjekët e trajnuar në Itali, Dr. Petri Gjaka dhe Enver Hasi, të dy që punojnë në njësinë e onko-hematologjisë pediatrike, të spitalit të Prishtinës.
Mjekët dhe personeli mjekësor i KFOR-it mbikëqyrën të gjitha fazat e operacionit, nga ajo përgatitore deri në atë post-operative, duke siguruar bashkëpunimin shumëvjeçar që ka Misioni i Shoqatës ‘Nicola Ciardelli’, mbështetje personale dhe profesionale, duke kontribuar aktivisht në suksesin e ndërhyrjeve të kateterave venoz.
Gjatë intervenimit, në sallë ishte i pranishëm edhe kapiteni mjekësor i ushtrisë italiane Davide Telesco: “Si pjesëtar i KFOR-it, roli im ishte të mbikëqyrja operacionin, si kirurg i përgjithshëm dhe të jem një pikë kontakti për bashkëpunim ndërmjet mjekëve kosovarë dhe italianë. Detyra jonë është gjithashtu të rrisim besimin e popullatës në institucionet vendore shëndetësore, të cilat kanë staf të trajnuar dhe të motivuar dhe me entuziazëm ofrojnë profesionalizmin e tyre për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.”
Dr Hasi, i tha stafit mjekësor të KFOR-it: “Intervenimi është finalizuar, është vendosur një linjë e përhershme venoze qendrore. Është një mrekulli, sepse fëmijët nuk do të ndjejnë më dhimbje. Po të mos ishin këto shoqata dhe KFOR-i, diçka e tillë nuk do të ishte e mundur.”
Znj. Ciardelli, e pritur nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, tha se ky moment historik paraqet një fillim të ri, që i mundëson Kosovës kujdes më të avancuar për fëmijët që vuajnë nga këto sëmundje të tmerrshme, duke theksuar se si ndihma e ofruar nga KFOR-i, ka qenë dhe do të jetë thelbësore, për të mundësuar arritjen e qëllimeve të reja dhe gjithnjë e më ambicioze me qëllimin e vetëm për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.