Radio pa dyshim është një nga mass mediat më influencuese dhe më me ndikim në shoqëri. Ky medium është lehtë i çasshëm për informacione në kohë reale, argëtim dhe edukim nëpërmes programit që ofron.
Fuqia e radios është shumë dimensionale. Ky medium arrin tek secili, duke sjellë informacionin më shpejt se çdo medium tjetër, sidomos në raste emergjente të fatkeqësive natyrore apo krizave të tjera. Sot, me 13 shkurt, komuniteti medial shënon ‘Ditën Botërore të Radios’, duke vlerësuar lartë punën që bën dhe duke depërtuar tek një audiencë e gjerë, duke kontribuuar në promovimin e diversitetit dhe ndihmuar në krijimin e një bote më paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
Rreth rëndësisë së radios dhe punës në këtë medium , Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me drejtorin dhe bashkëthemeluesin e Radio Glam në Prishtinë, gazetarin Gent Efendia: “E thonë shpesh se radio po bëhet si televizioni dhe me të vërtetë, radioja është si televizioni, përveç se ka fotografi më të mira. Ne, në radio interpretojmë për të mbjellë ato fotografi në vëmendjen e dëgjuesve me imazhe konkrete dhe përshkrime të mprehta të njerëzve, vendeve dhe veprimeve. Por nuk ndalemi me kaq, magjia që jep radio rezulton për dëgjuesin me ndjesi dhe për këtë përdorim të gjitha shqisat. Emërojmë erërat, tingujt, ndjenjat fizike, etj. dhe kush tjetër nga mediat mund ta bëjë në këtë formë nga së paku vetëm një zë! Magjia e radios qëndron kryesisht në intimitetin e tij, në bashkësinë e zërit dhe veshit. Urime radio lovers ‘Ditën botërore të radios’. Stay Tuned.”
Udhëtoni, punoni e shoqërohuni me Radio, me mediumin që është miku juaji më i mirë!