Ju shkon mendja t’i dërgoni dikujt një letër? Kur themi letër nuk po flasim për një e-mail, një tekst të shkurtë në viber a kudo tjetër, por një kartolinë me të cilen tregon kujdesin dhe dashurinë për tjetrin përmes kreativitetit tuaj, ku përmes fjalëve të thurura marrësi i kartolinës ju ndjen më afër.
Ne e dimë që në rrjetet sociale komunikimi është më i shpejtë, mund të kontaktojmë me disa persona në të njëjtën kohë, por edhe ky komunikim i ka mangësitë e veta në krahasim me komunikimin me letra.
Një kartolinë e vlefshme ruhet për tërë jetën, ndoshta edhe me qindra vite, kurse mesazhet elektronike mund të harrohen brenda pak minutave.
Njëri ndër poetët më të mëdhenj gjerman, Johann Wolfgang von Goethe, thoshte: “Letrat janë ndër kujtimet më të bukura që një njeri mund të lë pas tij”, prandaj është gjë e bukur që kohë pas kohe të largohemi nga teknologjia dhe mjetet tjera të informimit, që të shkëmbejmë kartolina me shumë dashuri mes njëri tjetrit.
Letra e parë me qëllim komunikimi, besohet se është shkruar rreth 2500 vite më parë nga Mbretëresha e Persisë, Atossa. Që nga ajo kohë mënyra e shkëmbimit të letrave ka ndryshuar nga vendi në vend, duke i dërguar letrat përmes postierëve e deri tek pëllumbat e trajnuar.