Arsimimi, mbetet një nga aspektet me të rëndësishme dhe thelbësore për emancipimin e shoqërive. Bota ende po përballet me numër të lartë të analfabetizmit dhe shumë fëmijë, për arsye të ndryshme, nuk mund të arsimohen.
Në nivel global, mbi 770 milionë të rinj nuk kanë aftësitë bazike për shkrim-lexim. Që nga viti 1966 kur UNESCO kishte shpallur datën e sotme, 8 shtatorin, si ‘Ditë Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit’, komuniteti botëror përmes organizimeve të shumta, mëton të ngrit vetëdijen për rëndësinë e arsimimit në aspektin individual por edhe shoqëror.
Arsimimi është e drejtë themelore e të gjitha shoqërive në botë, megjithatë mijëra fëmijë në botë nuk arrijnë të marrin edukimin e duhur dhe sipas organizatës ‘Unicef’, fëmijët janë të privuar nga arsimimi për arsye të ndryshme. Varfëria mbetet një nga barrierat më të mëdha dhe vajzat posaçërisht, janë më të kufizuara në këtë aspekt.
Një nga vlerat fondamentale të emancipimit shoqëror, është arsimimi dhe në këtë ditë, bëhet thirrje për barazi dhe mundësi për të gjithë fëmijët për tu shkolluar.