Po vazhdojnë aktivitete të ndryshme për shënimin e 70 vjetorit të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ndërsa sot do të jenë profesorët e shkollës që do të performojnë para publikut.
Për dy javë rresht, nga 15 deri më 31 maj do të ketë aktivitete të ndryshme në përvjetorin e 70-të të shkollës së muzikës në Prishtinë me moton “70 vjet edukim”. Sot, më 17 maj, në sallën e bibliotekës universitare, prej orës 18:00, do të performojnë 24 profesorë të shkollës së muzikës, në instrumente të ndryshme si piano, violinë, kitarë, klarinetë, saksafon dhe flautë.
Shkolla e muzikës në Prishtinë ka marrë emrin e kompozitorit të njohur, Prenk Jakova, i cili është edhe autor i operës së parë shqipe “Mrika”. Ai ka kompozuar një numër të madh veprash muzikore, si dhe këngën e mirënjohur “Margjelo”.