‘’Kultura e të shprehurit me gojë apo shkrim, është më shumë se dhunti, jo gjithmonë e lindur, më shumë e kultivuar nga përvoja e jetës, mbështetur mbi përgatitjen profesionale, intelektuale, akademike etj. Pa dyshim, paraqitja enorme e kësaj dhuntie, pasqyron edhe edukatën familjare, ambientin ku ai/ajo është rritur dhe edukuar’’, kështu thotë publicisti dhe poeti i njohur, Mehmet Bislimi, duke shtuar se përveç kulturës së të shprehurit, një vend po aq të rëndësishëm e zë edhe kultura e dëgjimit. Të gjithë ata që kanë durim dhe urti për të dëgjuar palën bashkëbiseduese, kanë shkallë të lartë ngritjeje dhe edukimi, mbi të gjitha, kanë një përgatitje të lakmueshme psikologjike mbi bazën e së cilës, ata formojnë konceptin e vlerësimit logjik mbi palën që debaton, apo shprehet për një çështje të caktuar. Jo pa shkas e nisëm këtë artikull me këtë citat, sepse pikërisht sot (18 korrik) shënohet ‘Dita Botërore e Dëgjimit’, e cila organizohet çdo vit nga Projekti Botëror i Dëgjimit, një organizatë jofitimprurëse që është e përkushtuar ndaj të kuptuarit të botës dhe mjedisit të saj natyror, shoqërive dhe kulturave nëpërmjet praktikës së të dëgjuarit dhe regjistrim në terren. Ata eksplorojnë ekologjinë akustike, një disiplinë që studion marrëdhëniet midis njerëzve dhe botës natyrore të ndërmjetësuar përmes zërit. Pra, qetësohuni, hapni veshët dhe përgatituni të studioni peizazhet zanore në ‘Ditën Botërore të Dëgjimit’.