Drejtues të komuniteteve, prindër, fëmijë, mësues dhe organizata të ndryshme sot shënojnë “Ditën Globale të Prindërve”, e cila u caktua si e tillë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që nga viti 2012. Që nga kjo periudhe u vë në dukje se prindërit e çdo race, feje, kulture dhe kombësie, në të gjitha pjesët e botës, janë kujdestarët kryesorë dhe mësuesit më të mirë të fëmijëve të tyre.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i cili foli për detyrimin e prindërve ndaj fëmijëve të tyre: “Detyrimi i tyre fillon që nga veshmbathja, ushqimi, shëndeti, edukimi dhe arsimimi. Secila nga këto që theksova kanë arsyet e tyre; veshmbathja duhet të ofrohet për shkak që fëmija mos të dallohet nga fëmijët e tjerë, ushqimi duhet të ofrohet nga prindi në mënyrë që fëmija të mos jetë i detyruar të punojë, shëndeti duhet të jetë në nivel për të vazhduar tutje me edukimin dhe arsimimin. Këto dy të fundit janë kryesoret, sepse edukimi parandalon sjelljet devijante të fëmijëve, kurse po i ofrove arsimim, fëmija do të jetë i gatshëm të sigurojë mirëqenien e tij si dhe të kontribuoj edhe për shoqëri.”
“Dita Globale e Prindërve“ e cila shënohet sot, u rikujton të gjithë prindërve detyrimet e tyre që kanë ndaj fëmijëve, për tu ofruar kushte, atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi.