Themelues i ‘Ditës Ndërkombëtare të Tokës’, është senatori amerikan Gaylord Nelson, i cili me idenë që problemet e kësaj natyre të hynin në vëmendjen e politikanëve, në vitin 1962, propozoi për kremtimin e ‘Ditës së Tokës’. Më vonë, me datën 22 prill, të vitit 1970, në SHBA u mbajt edhe manifestimi i parë më i madh ekologjik i këtij lloji, prej nga edhe doli ideja për shpalljen e kësaj date si ‘Dita e Planetit Tokë’.
Qëllimi i kësaj dite është angazhimi i të gjithë njerëzve anë e mbanë botës në mbrojte të Tokës dhe mbetet mbrojtja bazë e planetit Tokë dhe të gjitha resurseve të saj nga ndotja.
‘Dita e planetit Tokë’, më tepër i ngjan një lëvizjeje e cila angazhohet për përfshirjen e të gjithëve në mbrojtje të Tokës. Është një ditë e veçantë për t’i shprehur mirënjohjen tonë Planetit Tokë, i cili mbështet të gjitha format e jetës. Pikërisht në këtë datë, shumë qytetarë, fëmijë, të rinj e të moshuar kudo në botë ndajnë pak kohë për të mbjellë një pemë, pastruar një territor publik, përuruar një lulishte apo për të marrë pjesë në evente që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin qytetar ndaj çështjeve mjedisore.