Duke parë nevojën e promovimit të shkencës, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) themeloi “Ditën Ndërkombëtare të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim”, e cila për herë të parë u shënua më 10 nëntor të vitit 2002 dhe që atëherë, çdo vit shënohet në të njëjtën datë. Shënimi i kësaj dite ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për përfitimet që i kemi nga shkenca.
Me iniciativë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), çdo vit organizohet edhe “Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes”, e cila ka filluar dje (9 nëntor) dhe mbahet deri më 14 nëntor, me shpresën për t’i bërë njerëzit të kontribuojnë në inkurajimin dhe promovimin e paqes në të gjithë globin. Gjatë kësaj jave, njerëzit frymëzojnë dhe promovojnë paqen në vendet e tyre dhe gjithashtu synojnë të zhvillojnë teknologji të avancuara, për një jetë më të mirë për të gjithë.