“Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara” shënohet çdo vit me datën 29 maj, për të nderuar përkushtimin dhe trimërinë e paqeruajtësve në mbarë botën si dhe për të nderuar ata që kanë humbur jetën në shërbim të paqes.
Kombet e Bashkuara, fillimisht, themeluan operacionet paqeruajtëse në vitin 1948 dhe që atëherë, paqeruajtësit janë vendosur në rajone të shumta anembanë globit, për të ndihmuar në parandalimin e konflikteve, mbrojtjen e civilëve, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe mbështetjen e proceseve politike që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore.
“Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, është ditë që kremton përkushtimin për një botë ku mbizotëron paqja dhe ditë që shërben për të rikujtuar nevojën për dialog, tolerancë dhe respekt ndërmjet shteteve dhe komuniteteve, në përpjekje për të krijuar një botë të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë.