Shtresa e ozonit, një mburojë e brishtë e gazit, mbron Tokën nga pjesa e dëmshme e rrezeve të diellit, duke ndihmuar kështu në ruajtjen e jetës në planet.
Shkencëtarët që punuan në fund të viteve të 70-ta, zbuluan se njerëzimi po krijonte një vrimë në këtë mburojë mbrojtëse, duke rrezikuar jetën në tokë. Pastaj, në vitin 1985, qeveritë e botës miratuan “Konventën e Vjenës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit”. Prandaj “Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Shtresës së Ozonit”, e shënohet me datën 16 shtator dhe feston këtë arritje.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi kryetarin e organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo”, z. Milaim Rushiti, i cili tregoi se përveç qeverive të botës dhe fabrikave të mëdha, edhe ne si individ duhet të kemi kujdes në ruajtjen e ozonit: “Ne duhet t’i eliminojmë sa më shumë djegiet që lirojnë dioksid karboni, sepse gjatë gjithë dimrit ne djegim thëngjill në shtëpitë tona, ndoshta është shumë pak, por megjithatë edhe ne si individ luajmë një rol në të. Të gjithë duhet ta ruajmë shtresën e ozonit sepse pa të nuk do të kishte jetë në tokë.”
Slogani i sivjetmë është “Ozoni për jetën”, i cili na kujton se jo vetëm që ozoni është thelbësor për jetën në Tokë, por që ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë shtresën e ozonit për brezat e ardhshëm.