Pas socializimit dhe argëtimit që kanë pasur në kopshte, tashmë fëmijët e klasave të para kanë filluar mësimin në objekte shkollore.
Në rrethanat e pandemisë në të cilën jemi, prindërit janë po ashtu të emocionuar meqenëse duan që fëmijët e tyre të jenë sa më të mbarë e të suksesshëm, e mbi të gjitha edhe të shëndetshëm.
Emocionet e saj në cilësinë e nënës që e dërgon fëmijën në klasë të parë në kohë pandemie, për Radio KFOR-in i ndau znj. Mersime Gashi, e cila pohoi se është përshkuar nga përzierje emocionesh: “Kam emocione që nuk mund ti përshkruaj lehtë me fjalë, meqenëse, si për vajzën time Klea, njësoj dhe për mua, është hera e parë që po e përjetojmë një ndjesi të tillë, unë si nënë e një parashkolloreje, ajo për herë të parë në bankat shkollore, si pak më e rritur. Kam ndjenja tërësisht të përziera. E kam mësuar vajzën që mbajtja e maskës, distancës dhe higjienës, janë tri rregullat që duhet respektuar për tu mbrojtur nga virusi kovid.”, tha zonja Gashi.
Maska, distanca dhe higjiena, janë tri rregullat themelore që na ndihmojnë të mbajmë hapur shkollat dhe fëmijët tanë të arsimohen dhe edukohen në shkollë.