Për të inkurajuar mësimin e gjuhëve të huaja dhe promovimin e pasurive linguistike dhe diversitetit kulturor të Evropës, sot (26.09.20), shënohet “Dita Evropiane e Gjuhëve”, e krijuar nga Këshilli i Evropës, që nga viti 2002.
Në Evropë, kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme, me konferenca gjuhësore, orë gjuhe, ose takime dhe shkëmbime kulturore.
Vlerën e kësaj dite më së miri e dinë mësimdhënësit e gjuhëve të huaja, të cilët vazhdimisht ua shpjegojnë nxënësve se cilat janë përfitimet e të qenurit dygjuhësh, tre gjuhësh ose edhe një poliglot. “Gjuhët evropiane krijojnë mundësi punësimi, studimi dhe udhëtimi për të rinjtë”, kështu tha për radio KFOR-in, mësimdhënësja e gjuhës angleze, Arjeta Zatriqi-Begu dhe më tutje shtoi: “Ne nxënësit i mësojmë se sa është e rëndësishme të mësohen gjuhët e huaja, sepse një gjuhë vlen sa një njeri. Sa më shumë gjuhë që dimë, ne i japim mundësi vetës, për punësim, për të njohur kulturat e huaja dhe për ta njohur botën sa më mirë.”
Në Evropë ka më shumë se 225 gjuhë autoktone, që përfaqësojnë rreth 3 për qind të totalit të gjuhëve të botës.