Sot (1 mars) shënohet edhe “Dita e Botërore e Zero Diskriminimit”, e cila për herë të parë u organizua me datën 1 mars, të vitit 2014, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, i cili foli për zero diskriminim: “Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova është një vend me stabilitet të qëndrueshëm dhe ka bërë një përparim, sepse e ka një legjislaturë shumë të mirë, por ende mbetet punë për të bërë. Për të eliminuar diskriminimin, për të krijuar mundësi të barabarta dhe për të pasur qasje jo diskriminuese, duhet të punohet çdo ditë, e jo vetëm për 1 mars. Realisht Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, për më tepër punësim, për një shkollim dhe shëndetësi shumë më të mirë, e nëse të gjitha këto përmbushen atëherë edhe “Dita Ndërkombëtare Kundër Zero Diskriminimit”, do ta ketë kuptim më shumë.”
Shënimi i “Ditës Botërore të Zero Diskriminimit”, promovon të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet të plotë, pavarësisht moshës, gjinisë, përkatësisë etnike, arsimit dhe besimit.